Përmbyllet edicioni i 38-të i “Takimet e Poeteshave Shqiptare” çmimi i parë shkon për Valmira Sylejmanin

2 Dhjetor, 2020 - 8:52 pm

Medina Pasoma

38 vjetori i organizimit të Festivalit i cili bën bashkë gratë dhe vajzat të cilat flasin nëpërmjet vargjeve, “Takimet e Poeteshave Shqiptare” përmbylli aktivitetet e saja në qytetin e Vushtrrisë, shkruan KultPlus.

Ndonëse konkursi ishte hapur më parë dhe poete të shumta nga vende të ndryshme përtej kufirit të Kosovës kishin dërguar poezitë e tyre në konkurrim, pandemia bëri që organizimi i festivalit të shtyhej. Mirëpo, 2 dhjetori u bë data kur Vushtrria u bë ombrellë për vargjet e frymëzimet e poeteve shqiptare.

Festivali i cili i kishte rezistuar viteve dhe kishte mbetur një simbol identifikimi kulturor për këtë qytet, këtë vit u organizua pa praninë e publikut dhe në respektim të masave anti-covid.

Ulëset e teatrit të qytetit “Adem Mikullovci” u mbushën me praninë e artdashëseve dhe shkrimtareve nga vende të ndryshme, të cilat gjetën bashkim rreth letërsisë.

Të gjithë u ngritën në këmbë në nderim të himnit kombëtar dhe atij të Kosovës, të cilat shënuan edhe hapjen e edicionit të 38-të të Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare”.

Në skenën e teatrit të qytetit antik u shfaq moderatorja Ejonë Hasani, e cila në fillim të festivalit lexoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, duke sjellur në kujtesë me nostalgji organizimin e para një viti.

Pas këtij interpretimi, fjalën e morri drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Fatmire Cecelia, e cila përshëndeti poetet pjesëmarrëse.

“Takimet e Poeteshave Shqiptare nuk përbëjnë thjesht një tubim të zakonshëm të poeteve a të poezisë, por përbëjnë një takim të veçantë, të vetmin të këtij lloji në mbarë trojet shqiptare, andaj pjesëmarrja në këtë festival, përveç nesh iu bën nder edhe juve”, u shpreh Cecelia.

Pas fjalimit të drejtoreshës radha ishte që skena të zbukurohej me frymëzimet e poeteve dhe fjalët, përmes të cilave ato shprehnin botën e tyre të brendshme. Secila nga to morrën me radhë vendet e tyre në foltore, duke përçuar ndjenja dhe motive prej më të ndryshmeve, mirëpo sërish duke gjetur një të përbashkët secila nga to, të shprehurit nëpërmjet poezisë. Në anën tjetër organizatorët u kujdesën që edhe poetet të cilat nuk patën mundësi të vinin fizikisht në Festival të përfaqësoheshin nëpërmjet leximit të poezive të tyre nga moderatorja Ejonë Hasani.

Teksa ndërroheshin tematikat dhe emocionet nëpërmjet vargjeve, secila nga to kishte kurreshtje të madhe për të ditur fituesit e çmimeve, teksa ky Festival ndante çmimin e parë, të dytë, të tretë si dhe atë të debutantes, e cila iu dhurohej poetes më të re në moshë.

Për të hijeshuar edhe më shumë festivalin që kishte themel fjalën shqipe, nga skena e teatrit “Adem Mikullovci” u dëgjuan dhe u panë talentë të shumtë vushtrrias. Zëri i magjishëm i Elvira Mazhiqit nëpërmjet interpretimit të këngës “Valsi i Lumturisë”, Lejla Nika dhe Laurenta Dobërdoli me emocionin që fal kënga “Pranvera ka nis me ardhë” dhe Ansambli i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” me vallet e shumta i falën publikut momente të paharrueshme.

Pas këtyre interpretimeve artistike, koha ishte të shpalleshin emrat e jurisë të cilët tanimë veçse kishin bërë vlerësimet e tyre. Nevrije Islami, Merxhan Avdyli dhe Mentor Mani përbënin treshet në duart e së cilës kishin kaluar shumë poezi dhe në fund kishin përzgjedhur 21 më të mirat për të garuar gjerë në finale.

Teksa poetet pritnin me padurim, moderatorja Ejonë Hasani filloi t’i kumtonte emrat e fituesve dhe personat të cilët do të bënin shpërndarjen e çmimeve.

Drejtoresha Fatmire Cecelia si kryeorganizatore e edicionit të 38-të të Takimit të Poeteshave Shqiptare ndau çmimin e parë për Valmira Sylejmanin e cila nuk ishte prezente si dhe çmimin e dytë për poeten Nurimshahe Demalijaj.

Kryetari i Kuvendit Komunal në Vushtrri, Nasuf Aliu kishte marrë vendin e tij në skenë për t’ia dhuruar çmimin e tretë poetes Majlinda Shaqiri.

Ndërkaq, deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, Fjolla Ujkani e cila njëkohësisht vie nga qyteti i Vushtrrisë ndau çmimin debutantja, e cila iu jipej poetes më të re në moshë, e që kësaj radhe rastisi të jetë Elona Fazliu.

Edicioni i 38-të i Festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare” u përmbyll me një fotografi të përbashkët të poeteve nga vende dhe me frymëzime të ndryshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme