“Pianodrom”, 5 ‘eksploratorët’ sjellin polifoninë me tinguj avangardë

26 Nëntor, 2021 - 7:55 pm

5 artistë, muzikantë të talentuar sollën mbrëmjen e djeshme për publikun krijimet e tyre, si “eksplorim” në polifoninë shqiptare me tingujt e pianos. Koncerti u mbajt për artdashësit në sallën “Tonin Harapi” të liceut artistik “Jordan Misja”, në kuadër të edicionit të nëntë të Festivalit “Pianodrom”.

Ky koncert përkoi me 25 nëntorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në UNESCO, si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Sipas kompozitorit Aleksandër Peçi, i cili ka kuruar koncertin, janë 5 “arkitektë” që kanë nisur një projekt të ri.

“Muzika botërore nuk është marrë me polifoninë shqiptare, por edhe vetë muzika shqiptare më shumë ka gërmuar materialin melodiko-pentatonik në sipërfaqe, pa hyrë thellë në galeritë e ngrehinës polifonike”, shprehet Peçi.

“Jam absolutisht krenar, se “Pianodrom” është festivali më avangard në muzikën e kompozicionin shqiptar”, tha Peçi.

Veprat e luajtura në skenën e “Tonin Harapit” janë 8 kompozicione moderne, “Albphonia 2”, “Muzikë kabaistike”, “Ves”, “Toc- Alb- atta”, “Fragment nga Sonata n. 2 Argjiro”, “PolifonISO”, “Vajzë e valëve”, “Baticë-zbaticë dallgësh polifonike” në interpretimin e një ekipi fantastik: Merita Tërshana, Laura Lila, Paola Budani, Mimoza Kosturi.

Sopiqoti: Muzikë kontemporane bazuar mbi “Mbeçë more shokë mbeçë”

“Albphonia 2” titullohet vepra e kompozitorit Kris Sopiqoti, e cila hapi koncertin e cila u luajt në piano nga Paola Budani. Kompozitori Sopiqoti u shpreh pas koncertit se “AlbPhonia 2” është shkruar posaçërisht për këtë ngjarje artistike, bazuar mbi këngën “Mbeç more shokë, mbeçë”.

“Kënga në vetvete është një lamento e kënduar, kështu që duke u bazuar në melosin dhe ‘gjendjen emocionale’ të këngës, u shkrua një vepër për piano, e sjellë në kohën tonë me teknikat dhe mendimin muzikor kontemporan, por duke u ndjerë që është polifoni dhe muzikë shqiptare”, u shpreh kompozitori.

Sopiqoti shpjegon se “Albphonia 2” mban këtë titull pasi është vepra e dytë nga albumi “Albphonia”, i cili është një album me vepra solo për të zbuluar skajet dhe teknikat e instrumenteve të ndryshëm por gjithmonë bazuar në muzikën tonë, duke vënë në dukje se emri formohet nga dy fjalë Alb (Albania) dhe Phonia (tingull).

“Falënderoj profesor Peçin që mendon vazhdimisht për muzikën kontemporane shqiptare dhe si nismëtar i këtij koncerti”, u shpreh kompozitori Kris Sopiqoti.

Kompozitori shton se muzika kontemporane duhet të luhet dhe të shkruhet më shumë, ndërkohë që është e pëlqyeshme dhe e domosdoshme për edukimin e publikut artdashës.

Kris Sopiqoti ka mbaruar Universitetin e Arteve në klasën e mjeshtrit Aleksandër Peçi për kompozicion dhe tashmë është pedagog i jashtëm në këtë universitet. Ai ka qenë pjesë e programit Erasmus në konservatorin “Giusepe Tartini” të Triestes në Itali, në klasën e Fabio Nider, ku u vlerësua me 30/30 Lode.

Kompozitori ka marrë pjesë në mjaft koncerte, ashtu sikundër kompozimet e tij janë luajtur edhe në sallën e Universitetit të Arteve, ndërsa vepra e tij “AlbPhonia” për klarinetë solo u luajt nga Xhovani Dimo në klarinetë në Kolumbi dhe Ansambli i Dhomës Sirius premierë në Australi, e performuar nga Ian Sykes në vitin 2019. Kjo vepër është luajtur edhe nga Jerome Comte i Ansamblit Kontemporan të Parisit

Kompozitori Kris Sopiqoti po ashtu bashkëpunon me Ansamblin Kontemporan “Enydra ensemble“ të Venecias./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme