Piers Morgan largohet nga puna pas komenteve negative për dukeshën Meghan Markle

10 Mars, 2021 - 10:59 am

Prezantuesi kontrovers, Piers Morgan, është larguar në emisioni “Good Morning Britain” i kanalit “ITV”, pas komenteve të tij rreth Dukeshës së Sussexit.

Kështu, pas gjashtë vjetësh i erdhi fundi kohës së prezantuesit në këtë shou.

Kanali “ITV” e bëri publik lajmin e këtij vendimi, pas hetimit të kryer rreth komenteve të Morganit për dukeshën Meghan Markle, dhe pasi televizioni i kishte pranuar më shumë se 40 mijë ankesa në drejtim të prezantuesit të njohur britanik.

Në episodin e së hënës të emisionit “Good Morning Britain”, Morgan i cili gjithmonë ka qenë shumë i ashpër me komentet e tij për gruan e Princit Harry, shpesh edhe duke e ofenduar me fjalë të rënda gjatë kohës sa ajo shërbeu si përfaqësuese e familjes mbretërore, pas intervistës së çiftit Harry dhe Meghan me prezantuese ikonike Oprah Winfrey, tha se nuk e beson asnjë fjalë që dukesha e ka thënë në këtë intervistë, si dhe e akuzoi atë se po gënjente se ka pasur probleme me shëndetin mendor si pasojë e presionit nga mediat.

“Pas diskutimeve me udhëheqësit e televizionit, Piers Morgan ka vendosur se tani është koha të largohet nga emisioni ‘Good Morning Britain’. Kanali ‘ITV’ e ka pranuar vendimin e tij dhe nuk ka asgjë më shumë për të komentuar rreth këtij rasti”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i këtij televizioni.

Për BBC-në, kanali “ITV” e konfirmoi lajmin se largimi i Morganit nga emisioni i mëngjesit hyn në efekt menjëherë, por nuk pranuan të tregojnë se nuk do ta zëvendësojë atë.

Përmes një postimi në Twitter, Morgan tha se ka menduar mirë rreth komenteve të tij për intervistën e Oprah Winfreyt me çiftin Harry dhe Meghan, duke shtuar se vazhdon ta ketë të njëjtin mendim dhe me kënaqësi e mbron lirinë e fjalës.

“Faleminderit për dashurinë dhe urrejtjen. Po largohem të kalojë pak kohë me opinionet e mia”, ka shkruar prezantuesi.

Pak para lajmit të largimit të tij nga puna, Morgan u ballafaqua live në emision me prezantuesin e motit, Alex Beresford. Ky i fundit e kritikoi kolegun e tij për faktin se po vazhdon ta ofendojë dhe sulmojë dukeshën, duke e detyruar kështu Morganin të largohet nga emisioni i frustruar, pasi nuk i pëlqeu kritika ndaj tij. Ai u rikthye në skenë pas dhjetë minutash.

Po ashtu të martën, shefja ekzekutive e kanalit “ITV”, Dame Carolyn McCall, tha se ajo i beson plotësisht deklaratave të Meghan Markle rreth shëndetit të saj mendor, duke shtuar se televizioni është i përkushtuar seriozisht në trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor.

Edhe organizata bamirëse “Mind” e cila është partnere bashkëpunimi me “ITV”-në në fushatën “Britain Get Talking”, po ashtu e kritikoi Morganin duke thënë se janë ndarë të zhgënjyer nga komentet e prezantuesit. / KultPlus.com

Të ngjajshme