Po vjen edicioni i katërt i Festivalit të Baballarëve, trajton prindërimin pozitiv

12 Qershor, 2023 - 12:33 pm

Edicioni i katërt i Festivalit të Baballarëve, i cili do të festojë Ditën Ndërkombëtare të Baballarëve vjen këtë javë, përcjell KultPlus.

Festivali i Baballarëve është festivali i parë i tillë në Kosovë që e trajton prindërimin pozitiv, rëndësinë e angazhimit të baballarëve në rritjen dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, ndarjen e përgjegjësive të barabarta brenda familjes, si dhe promovon lejen prindërore.

Qëllimi i këtij Festivali është të frymëzojë baballarët dhe kujdestarët që të jenë të vëmendshëm dhe të përfshirë aktivisht në edukimin e fëmijëve, të fillojë diskutime mbi rëndësinë e atësisë, me një fokus të veçantë në avokimin për lejen prindërore.

Festivali vjen më datë 18 qershor 2023, duke filluar nga ora 12:00 tek Parku i Marashit në Prizren (afër lumit Lumbardh) dhe do të përfshijë disa aktivitete: garën e baballarëve, ekspozitë, muzikë, lojëra, kuiz, art, kulturë, piknikun familjar, këndin e leximit, dhe aktivitete të tjera interaktive.

Ky festival implementohet në kuadër të projektit “Future 4 Youth” nga SIT me mbështetje nga UNFPA – zyra në Kosovë, Agjensioni Austriak për Zhvillim, CARE International në Ballkan, Fondacioni Oak, Koalicioni për Shëndetësi K10, dhe mbështetet edhe nga disa biznese private. / KultPlus.com

Të ngjajshme