24 Gusht, 2025 - 5:35 pm
Koncerti final i Porto Palermo Festival solli një natë magjike për qytetin e Himarës. Qindra qytetarë dhe pushues u mblodhën për të ndjekur koncertin, i cili prej pesë vitesh sjell emra të njohur të muzikës shqiptare dhe jo vetëm, nën organizimin e violinistit me famë botërore Olen Cesari.
Mbrëmjen finale të 23 gushtit, pedonalja e qytetit bregdetar u kthye në një skenë të madhe ku muzika, arti dhe festa u bashkuan nën qiellin e hapur të verës. Qindra qytetarë dhe pushues ndoqën koncertin final të festivalit, që prej pesë vitesh sjell emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare, nën organizimin e violinistit me famë botërore Olen Cesari.
Atmosfera u ndez që në momentet e para me performancat e Olen Cesari, Marsela Çibukaj, Dren Abazi dhe Ansamblit Folklorik Shqiptar, duke sjellë një kombinim të muzikës klasike, moderne dhe folklorit tradicional.
Një emocion i veçantë ishte pjesëmarrja e këngëtarit gjirokastrit Roland Çenko, si dhe e këngëtares himariote Katina Beleri, të cilët u pritën me duartrokitje të zjarrta nga publiku.
Muzika e natës së fundit e ktheu pedonalen e qytetit në një festë të madhe popullore, ku publiku këndoi e vallëzoi bashkë me artistët, duke përjetuar një mbyllje të paharrueshme të këtij edicioni.
Festivali u realizua me mbështetjen kryesore të Bashkisë Himarë dhe kryebashkiakut Vangjel Tavo, si edhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, duke konfirmuar rëndësinë që ky aktivitet kulturor ka për jetën artistike, sociale dhe turistike të zonës.
Porto Palermo Festival, tashmë një traditë e përvitshme e verës shqiptare, u rikthye edhe këtë vit për të treguar se arti dhe muzika mund të bashkojnë njerëzit dhe të kthejnë qytetet tona në qendra të gjalla kulturore./KultPlus.com