Posta e Kosovës mirëpret diasporën me pulla postare të vitit 2025

7 Gusht, 2025 - 4:40 pm

Në kuadër të angazhimit për t’i qëndruar afër qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, Posta e Kosovës ka zhvilluar një aktivitet simbolik për të mirëpritur bashkatdhetarët që po rikthehen për pushime në vendlindje.

Përfaqësues të Postës u takuan me mërgimtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku iu dhuruan pulla postare nga emisionet filatelike të vitit 2025, si shenjë falënderimi për lidhjen e tyre të fortë me vendin dhe për kontributin e vazhdueshëm, transmeton KultPlus.

“Posta për Diasporën” është një nismë që synon të vlerësojë rolin e diasporës si ura lidhëse me botën, ambasadorë të kulturës dhe identitetit shqiptar. Në njoftimin zyrtar, Posta e Kosovës ka shprehur mirënjohje për dashurinë, përkushtimin dhe ndihmesën që bashkatdhetarët vazhdojnë të japin për Kosovën.

“Urojmë që të kaloni çaste të lumtura në gjirin e familjes dhe miqve,” thuhet më tej në njoftim.

Kjo iniciativë e veçantë është pritur me entuziazëm nga qytetarët që po rikthehen nga mërgata, duke sjellë emocione dhe ndjenja të veçanta në një periudhë të mbushur me vizita dhe gëzim familjar./KultPlus.com

Të ngjajshme