Pragë, një muze i Holokaustit hapet në ish-fabrikën e Oskar Schindlerit

11 Maj, 2025 - 2:45 pm

Një muze i Holokaustit në Republikën Çeke është hapur në një ish-fabrikë që ishte në pronësi të biznesmenit të njohur gjerman të kohës, Oskar Schindler, i cili u bë i famshëm në filmin fitues të çmimit Oscar të Steven Spielberg, “Lista e Schlinderit”.

Dy ekspozita – njëra mbi fatin e të mbijetuarve të Holokaustit dhe tjetra rreth lëvizjes avangarde Bauhaus – ishin ekspozitat fillestare të muzeut.

Fabrika, e cila ka qenë nën mbrojtje të trashëgimisë që nga viti 2016, ndodhet në Brnenec, afërsisht 160 kilometra në lindje të Pragës.

”Për momentin, muzeu është i hapur vetëm për turne me guidë në ditë të caktuara të vitit”, sipas një zëdhënëseje të memorialit, siç u raportua nga agjencia çeke e lajmeve, CTK.

Para hapjes së muzeut, rrënojat industriale duhej të pastroheshin nga mbeturinat toksike dhe të restauroheshin gjatë disa viteve.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Schindler punësoi më shumë se 1 000 punëtorë hebrenj në fabrikën e tij të municioneve duke i mbrojtur ata nga deportimi dhe vrasja.

Në vitin 1944, fabrika u zhvendos nga Krakovi, i pushtuar nga gjermanët në Brnenec.

Ajo shërbeu si një nënkamp i kampit gjerman të përqendrimit të Gross-Rosenit.

Schindler u nderua më vonë në Izrael për përpjekjet e tij për të shpëtuar punëtorët.

Historia e biznesmenit gjermano-moravian fitoi famë botërore për herë të parë përmes romanit “Lista e Shindlerit” nga autori Thomas Keneally dhe më vonë nga filmi i Spielbergut.

Pasardhësit e familjes Low-Beer, të cilët kishin qenë industrialistë të pasur hebrenj para se Hitleri të vinte në pushtet, themeluan fondacionin “Shpëtimi i Arkës së Shindlerit” dhe morën përsipër vendin historik disa vite më parë për të ngritur një memorial.

Familja kishte qenë pronarët origjinalë të fabrikës derisa u konfiskua nga nazistët në vitin 1938./atsh/ KultPlus.com  

Të ngjajshme