Presidentja Osmani inauguron laboratorin modern në Spitalin “Sheika Fatima”

18 Korrik, 2025 - 10:58 am

Në Spitalin e Fëmijëve “Sheika Fatima” është inauguruar dje një laborator i ri, i pajisur me teknologji moderne, donacion nga “Khalifa Foundation” me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Inaugurimi u bë në prani të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vlerësoi këtë investim si hap të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend, veçanërisht në shërbimet për fëmijët.

Laboratori i ri do të mundësojë kryerjen e shumicës së analizave brenda vetë spitalit, duke përmirësuar ndjeshëm efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve për pacientët më të vegjël. Një fokus i veçantë i këtij investimi është reparti i neonatologjisë, ku pajisjet moderne do të kontribuojnë në kujdesin jetik për foshnjat dhe nënat e reja, transmeton KultPlus

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për popullin dhe shtetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e vazhdueshëm në mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë.

“Ky laborator është më shumë sesa një hapësirë me pajisje – është një mundësi e re për jetë më të mirë për fëmijët tanë”, u shpreh Presidentja Osmani gjatë ceremonisë.

Donacioni i fundit është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe fondacioneve humanitare nga Emiratet, të cilat në vitet e fundit kanë mbështetur projekte të rëndësishme në fushën e shëndetësisë dhe arsimit./KultPlus.com

Të ngjajshme