Presidentja Osmani nderon Adem Demaçin: “Simbol i qëndresës dhe zëri i të pambrojturve”

26 Korrik, 2025 - 2:59 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot figurën e Adem Demaçit në një mesazh përplot vlerësim e mirënjohje për kontributin e tij në kauzën kombëtare dhe për lirinë e popullit shqiptar.

Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani e quajti Demaçin “simbol të qëndresës, disident të pathyeshëm dhe zë të të pambrojturve”. Ajo tha se ai ishte një njeri i lirë edhe kur ndodhej prapa grilave dhe se përkundër vuajtjeve, ai predikoi paqen, pajtimin dhe guximin për të thënë të vërtetën.

“Adem Demaçi sakrifikoi lirinë e tij individuale për lirinë kolektive të popullit të tij. Emri i tij do të jetojë sa vetë liria”, theksoi Osmani.

Në fund të mesazhit të saj, Presidentja nderoi kujtimin e tij me fjalët: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për Bacën Adem!”

Adem Demaçi, i njohur si “Mandela i Ballkanit”, mbetet një nga figurat më të respektuara të historisë së re të Kosovës, për kontributin e tij si disident politik dhe luftëtar për të drejtat e njeriut./KultPlus.com

Të ngjajshme