24 Gusht, 2025 - 11:06 am
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Evropian të Alpbach-ut në Austri, ku është takuar me të rinj e të reja nga mbarë Evropa, të cilët konsiderohen si udhëheqësit e ardhshëm të kontinentit.
Në këtë bashkëbisedim frymëzues, Presidentja Osmani foli për rolin aktiv të Kosovës në promovimin e paqes dhe sigurisë, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit transatlantik.
“Diskutuam për rolin e Kosovës si kontribuese aktive për paqe e siguri, për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik, si dhe për rikthimin e Evropës tek forca jonë më e madhe: mbrojtja e vlerave demokratike. Jo vetëm në fjalë, por në veprim. Me guximin për të qëndruar krah atyre që i mbrojnë këto vlera dhe për t’i hapur dyert Kosovës dhe shteteve të tjera që punojnë me përkushtim për to”, u shpreh Osmani.e
Presidentja u bëri thirrje vendeve evropiane që të qëndrojnë krah atyre që mbrojnë këto vlera dhe të hapin dyert për Kosovën dhe shtetet e tjera që punojnë me përkushtim për të njëjtat parime./KultPlus.com