Presidentja Osmani në Riga: Kosova, aleate e palëkundur në mbrojtje të vlerave demokratike dhe sigurisë evropiane

16 Korrik, 2025 - 10:07 am

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Riga, Letoni, theksoi përkushtimin e vendit për të qenë një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike dhe sigurisë kolektive. Ajo vizitoi Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), ku u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik, si pjesë e synimeve të Kosovës për anëtarësim në NATO.

Në kuadër të vizitës, Presidentja mori pjesë në një diskutim në Shtëpinë e Evropës me gra lidere dhe aktiviste nga Letonia. Ajo ndau përvojën e Kosovës si një shtet që ka kaluar luftën, por që sot avancon si një demokraci me gratë në qendër të çdo procesi vendimmarrës dhe të sigurisë.

Presidentja Osmani theksoi se përvoja e Kosovës dëshmon se paqja dhe zhvillimi janë të mundura përmes përfshirjes së barabartë dhe ndërtimit të institucioneve të forta. Ajo vlerësoi përkushtimin e grave në transformimin demokratik të vendit.

Vizita u përmbyll me një ndalesë në Muzeun e Okupimit të Letonisë, ku Presidentja nderoi historinë e rezistencës dhe vuajtjes së popullit letonez. Ajo e krahasoi këtë histori me atë të Kosovës, duke theksuar se kujtesa kolektive është një forcë e fuqishme për të ndërtuar një të ardhme të drejtë dhe të sigurt./KultPlus.com

Të ngjajshme