“Uji deri në katër euro”, Abazoviq: Çmimet si në Saint – Tropez, Cannes dhe Monako

20 Korrik, 2022 - 4:15 pm

Mediat malazeze raportojnë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se çmimet nëpër plazhe janë sikurse në Côte d’Azur” – (riviera e famshme franceze), përkatësisht bregdeti mesdhetar i Francës juglindore që përfshin vendpushimet e famshme magjepsëse të plazhit si Saint-Tropez dhe Cannes, dhe Monakon.

Por, Abazoviq gjithashtu ka thënë se të hyrat janë në nivel të kënaqshëm.

“Parametrat janë të tillë që të hyrat totale të realizuara janë në nivel të kënaqshëm”, citohet të ketë thënë ai në seancën e qeverisë. Nëse dikush mendon se është e mundur të përsëritet sezoni i vitit të kaluar kur ishte një kulm i jashtëzakonshëm, sepse ishim i vetmi vend i hapur për 45 ditë, do të jetë e vështirë ta realizojmë. Duhet të përshtatemi me trendet e reja. Çmimet në bregdet janë si në Cote d’Azur, Mali i Zi nuk e ka parë kurrë këtë më parë”, ka thënë Abazoviq, përcjell Vijesti.me.

Ndërkaq, ai ka theksuar se është i kënaqur që shumë turistë zgjedhin qetësinë, natyrën pa turma dhe udhëtimet në plazhe, vende ku ajri është i pastër dhe temperaturat nuk janë aq të larta sa buzë detit.

I pari i Malit të Zi shpreson që të vijnë edhe më shumë turistë, duke qenë realistë dhe të ndershëm.

“Duhet të dimë që çmimi i ujit në bregdet është deri në katër euro dhe para një viti e gjysmë ishte 1.5 euro, disa shtëpi të vogla në ‘Ada Bojana’ jepeshin me qira 50 euro, tani 250 euro – vetëm duhet të jemi realistë dhe të ndershëm”, ka paralajmëruar Abazoviq. /KultPlus.com

Të ngjajshme