Presidentja Osmani pret ministren greke, flasin për fuqizimin e grave

15 Prill, 2024 - 3:49 pm

Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka pritur në takim ministren për çështje Sociale dhe Familjes të Greqisë, Sofia Zacharaki.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është diskutuar për agjendën e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila përkon me kohën kur paqja dhe siguria ndodhen nën sulm në pjesë të ndryshme të botës, teksa gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

“Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e rritjes së përpjekjeve për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse”, njofton zyra e Presidencës.

Sipas njoftimit, Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e rritjes së përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes së grave në proceset vendimmarrëse në të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Fuqizimi ekonomik i grave, qasja më e mirë në arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësitë ekonomike, luajnë rol përmbajtësor në përmirësimin e pozitës së vajzave dhe grave në shoqëri”, ka theksuar Osmani.

Të ngjajshme