8 Gusht, 2025 - 7:11 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, për të diskutuar mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet më të fundit politike dhe ekonomike në vend.
Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve, duke veçuar mesazhin e fundit nga Presidenti Donald Trump, i cili në letrën e tij theksoi partneritetin e fortë me Kosovën.
“Jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me SHBA-në në avancimin e objektivave tona strategjike të përbashkëta,” deklaroi Osmani, duke theksuar rëndësinë e aleancës transatlantike për zhvillimin demokratik të vendit.
Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte vazhdimi i Kompaktit të MCC-së, për të cilin Presidentja u informua nga Zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau. Osmani e cilësoi këtë si një hap thelbësor në mbështetjen e zhvillimit afatgjatë të sektorit të energjisë dhe digjitalizimit të Kosovës.
Gjatë takimit, u trajtuan gjithashtu zhvillimet e fundit politike, me fokus në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, si dhe nevoja për të vazhduar hapat konkretë në drejtim të bashkëpunimit në fusha strategjike me interes të përbashkët.
Takimi konfirmoi edhe një herë se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i pazëvendësueshëm për Kosovën, në rrugën e saj drejt stabilitetit, integrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm./KultPlus.com