Presidentja Osmani u prit në Iowa nga Guverantorja Kim Reynolds

25 Tetor, 2023 - 8:59 am

Me ftesë të Guvernatores së Iowa-s, Presidentja Osmani nisi vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani dhe Zotëriu i Parë z.Prindon Sadriu u pritën me pritje ceremoniale nga Guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds dhe Zotëriu i Parë z.Kevin Reynold. Presidentja e falënderoi Guvernatoren për pritjen dhe për vizitën bërë Kosovës, në muajin qershor të këtij viti.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.

Sipas Presidentes Osmani,  nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.

“Ky program luan një rol jetik në zhvillimin tonë të vazhdueshëm ushtarak dhe përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona të sigurisë kombëtare për anëtarësim në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.

Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për  shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.

U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe Ministri i bujqësisë Faton Peci.

Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator. Sipas  Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme