30 Prill, 2025 - 7:00 pm
Organizata ”Trump” po zgjerohet në rajonin e Gjirit me prezantimin e projektit të saj më të fundit të rrokaqiellit në Dubai, vetëm disa javë përpara vizitës së planifikuar të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në rajon.
Ndërtesa 80-katëshe do të jetë hoteli i parë i ”Trump tower” në Dubai.
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Eric Trump, nënkryetar ekzekutiv i organizatës ”Trump”, tha se “ky do të jetë projekti i parë ku mund të blini njësi duke përdorur kriptovaluta, përfshirë bitcoin”.
Projekti me vlerë një miliard dollarë pritet të përfundojë brenda pesë vitesh.
”Njësia më e shtrenjtë do të jetë apartamenti në katin e parë, me një kosto prej rreth 20 milionë dollarësh”, sipas gazetës emirate ”The National”.
Edhe pse më parë ka qenë kritik i kriptovalutave, Donald Trump ka mbështetur asetet digjitale gjatë fushatës për një mandat të dytë.
Njoftimi për Kullën e Dubait vjen përpara vizitës së planifikuar të presidentit të SHBA-së Donald Trump në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, e planifikuar për 13-16 maj.
Vitin e kaluar, zhvilluesi saudit i pasurive të patundshme luksoze ”Dar Global” njoftoi ndërtimin e një kulle ”Trump” me vlerë 533 milionë dollarë në Xhedah dhe një projekti tjetër në Oman që përfshinte një hotel dhe vila banimi./ atsh/ KultPlus.com