19 Gusht, 2025 - 10:15 pm
Sipas një njoftimi të publikuar nga kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, kryeqyteti dhe gjithë Kosova kanë hyrë në një kapitull të ri historik: përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Në postimin e tij, Rama thekson se kjo ngjarje nuk është vetëm një organizim sportiv, por një projekt madhor që do të shënojë zhvillim, afirmim dhe një mundësi unike për ta vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, transmeton KultPlus.
Ai bën të ditur se, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mbajtur takimi i parë për funksionalizimin e Komitetit Organizues të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG). Ky hap i rëndësishëm shënon fillimin e punës së koordinuar për organizimin e një ngjarjeje që pritet të jetë ndër më të mëdhatë të mbajtura ndonjëherë në vend.
Rama shton se me udhëzimet dhe mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, organizimi i këtyre lojërave do të udhëhiqet nga profesionalizmi, efikasiteti dhe vizioni afatgjatë. Përtej sportit, projekti pritet të sjellë zhvillim urban, të forcojë promovimin kulturor dhe të shfaqë para botës mikpritjen dhe energjinë e qytetit.
Në vitin 2030, Prishtina do të mirëpresë sportistë dhe vizitorë nga e gjithë hapësira mesdhetare, duke e shndërruar kryeqytetin në një qendër të bashkëpunimit dhe festës sportive.
“Prishtina është gati ta mirëpresë botën mesdhetare në vitin 2030.” – përfundon Rama./KultPlus.com