15 Gusht, 2025 - 5:58 pm
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po i afrohen gjithnjë e më shumë realizimit. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshja e radhës me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), duke e cilësuar këtë si një hap tjetër konkret drejt organizimit të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vendit dhe rajonit.
Pavarësisht bllokadës së krijuar nga dërgimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese, MKRS, në bashkëpunim me KOK dhe Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), po vijon përgatitjet përmes zgjidhjeve alternative. Në kuadër të KOK, ICMG ka themeluar Komitetin Organizativ të përkohshëm për Lojërat Mesdhetare, i cili do të zhvillojë aktivitetet operacionale sipas standardeve më të larta vendore dhe ndërkombëtare.
Ngjarja sportive synon të jetë jo vetëm një sukses organizativ, por edhe një angazhim strategjik për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve./KultPlus.com