27 Gusht, 2025 - 8:50 pm
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë të ditur se më 16 dhe 17 shtator 2025 do të mbahet edicioni i pestë i Festivalit të Filmit Sportiv Prishtina 2025.
Festivali do të sjellë në kryeqytet një përzgjedhje filmash dhe dokumentarësh nga fusha e sportit, të cilët do të shfaqen në kinema, duke e kthyer Prishtinën për dy ditë në qendër të kinematografisë sportive.
Pas thirrjes së hapur në korrik, KOK ka dërguar disa dokumentarë në Federatën Ndërkombëtare të Kinematografisë Televizive Sportive (FICTS), me të cilët ka aplikuar për çmime ndërkombëtare. Këta filma tashmë janë të kualifikuar edhe për shfaqje në festivalin vendor.
Për dokumentarët premierë, festivali ofron mundësi të veçantë prezantimi, ndërsa afati i fundit për aplikime është 10 shtator 2025.
Ky aktivitet pritet të tërheqë kineastë, sportistë dhe dashamirë të artit nga Kosova e më gjerë, duke forcuar rolin e sportit si frymëzim në kinematografi./KultPlus.com