Prizreni hap dyert për teatrin ndërkombëtar, më 21 korrik nis edicioni i IV-të i “Prizren Fest”

16 Korrik, 2025 - 2:33 pm

Nga data 21 deri më 28 korrik 2025, qyteti i Prizrenit do të shndërrohet në një skenë të hapur ndërkombëtare arti, me mbajtjen e Edicionit të IV-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Ambient të Hapur “Prizren Fest”.

Ceremonia solemne e hapjes do të zhvillohet më 21 korrik në ora 21:00, në hapësirën simbolike të Teatrit mbi Lum, ku do të prezantohet një performancë e veçantë e baletit nga Eno Peçi dhe Trupa e Baletit e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë – një produksion që pritet të sjellë emocione të forta dhe estetikë të lartë artistike.

Në këtë edicion, festivali do të sjellë një program të pasur artistik me pjesëmarrjen e trupave teatrore nga Italia, Franca, Palestina, Çekia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Përveç shfaqjeve teatrale, festivali do të përfshijë punëtori, konferenca dhe panele diskutimi mbi temat më aktuale të teatrit bashkëkohor dhe atij tradicional.

Drejtori i festivalit, Shkelzen Veseli, thekson se “Prizren Fest” është një takim ku arti takon shpirtin, ku kreativiteti nuk njeh kufij, dhe ku Prizreni kthehet në një skenë të hapur ndërkombëtare. Ai fton publikun dhe komunitetin artistik që të jenë pjesë e këtij rrugëtimi të veçantë kulturor.

Për të konfirmuar pjesëmarrjen në festival, organizatorët ftojnë të interesuarit të kontaktojnë përmes emailit: [email protected] ose në numrin: +383 44 113 326.

“Prizren Fest” po afirmohet gjithnjë e më shumë si një festival i rëndësishëm rajonal që lidh artistët me publikun në një atmosferë magjike, mes teatrit, muzikës dhe trashëgimisë kulturore./KultPlus.com

Të ngjajshme