‘Punëtorët të bashkuar kundër shtypjes’, më 1 maj protestohet për të drejtat e punëtorëve në Kosovë

20 Prill, 2022 - 2:23 pm

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizojnë protestë më 1 maj, me fillim nga ora 12:00, në Amfiteatrin në Sheshin “Zahir Pajaziti”, për të protestuar për të drejtat e punëtorëve në Kosovë, përcjell KultPlus.

Sipas tyre, klasa punëtore vazhdon të shtypet e të nëpërkëmbet e shpresa e vetme është rezistenca dhe organizimi.

Postimi i plotë:

“Këtë 1 maj, kthejmë vëmendjen tek gjendja e klasës punëtore në Kosovë e përtej, për ta denoncuar sistemin e dhunshëm në të cilën klasa punëtore vazhdon të shtypet e të nëpërkëmbet e kujtojmë se shpresa e vetme është rezistenca e organizimi”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kapitalizmi i egër në të cilën gjendemi është duke u ushqyer nga puna papaguar e të keq paguar, trupat e jetët e punëtoreve/ëve kudo. E në kohën e rritjes së çmimeve, sa për shkak të luftërave imperialiste e sa nga fryrja artificiale nga korporatat zhvatëse vendore e ndërkombëtare, punëtoret/ët vazhdojnë të jetojnë në me një këmbë në skaj të varfërisë, e me tjetrën në shtypje e shfrytëzim nga shefat e pronarët, të tejhuajsuar e tjetërsuar nga qenësia e vetë. Sidomos gratë punëtore, që në një anë iu mohohet kompensimi bazik për punët e shtëpisë me arsyetimin se është “ligj natyre”, e në anë tjetër përjashtohen sistematikisht nga tregu i punës, nëse arrijnë të punësohen ndonjëherë, përsëri duhet të ballafaqohen me eksploatim sistematik, pagesë më të ultë, ngacmime e abuzime seksuale.

Kapitali shpërndanë shtypjen por edhe privilegjin, në mënyrë të pabarabartë me qëllim që të krijoj çarje përbrenda klasës punëtore. Ndërkohë që punëtorët/et shtypën e shfrytëzohen, ata të komuniteteve rom, egjiptian e ashkali iu mohohet e drejta për të punuar e gëzuar të drejtat themelore. Personave LGBTI+ iu mohohen të drejtat bazike për të ekzistuar e punuar lirshëm, pa frikë e me dinjitet. Si kundërpërgjigje dhe nga frika nga fryma përparimtare, patriarkati kapitalist nxjerr racizmin e fashizmin, homofobinë e transfobinë, konservatizmin e fundamentalizmin, për ta shuar çdo tentativë të organizimit dhe solidaritetit të klasës punëtore që do t’ia rrezikonte makinerinë e nxjerrës profitit nga eksploatimi i fuqisë së lirë punëtore.

Këtë 1 maj, ne si Bllok Anti-Kapitalist iu bëjmë thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e pastrimit, student/ë e pensioniste/ë, të organizohemi, në solidaritet, e në kundërshtim të shtypjeve të shumëfishta dhe përgjigjeve të dobëta reformatore të cilat veç janë duke i ushqyer pabarazitë dhe na qesin hije syve nga problemet e thella. Kundërshtojmë çdo ndërmarrje që ka për qëllim mirëmbajtjen e kësaj status quo-je të dhunshme që i shërben të fortëve e të pasurve në kurriz të klasës punëtore. Këtë 1 maj, ne bashkohemi në e qëndrojmë bashkë kundër patriarkatit hetero-seksist, kapitalist, racist, ksenofob e transfob dhe ritheksojmë se ndryshimet rrënjësore e çlirimi i përket klasës punëtore”. /KultPlus.com

Të ngjajshme