9 Korrik, 2025 - 2:44 pm
Lufta në Kosovë qëndron si plaga më e madhe kombëtare, duke qenë një ndër ngjarjet më tragjike të historisë së popullit shqiptar në Kosovë.
Kujtesa kolektive në anën tjetër është ajo që i mban gjallë ngjarjet, sakrificat dhe historinë e përgjakshme drejt pavarësisë dhe çlirimit.
Historia na rrëfen se krisma e parë e pushkës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shkrep nga Zahir Pajaziti, luftëtari dhe dëshmori i paharrueshëm, si nisma e parë për liri.
Për nder të kësaj nisme, për nder të figurës madhështore të Zahir Pajazitit dhe sakrificës sakramentale të tij, Shoqëria Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti”, në Podujevë organizon edicionin e dytë të festivalit “Pushka e parë e lirisë”.
Kjo festë dyditore premton promovimin e vlerave kulturore, këngëve e valleve më 1 dhe 2 gusht 2025, në ora 20:00, në sheshin “Bulevardi i dëshmorëve”, në Podujevë.
Pjesëmarrës të festivalit do të jenë ansamblet e rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, si: Ansambli “Dardanët” Düsseldorf, “Qendra Kulturore e Fëmijëve” Kurbin, SHKA “Tingujt e Vendlindjes” Stagovë, “Qendra Kulturore Kaqaniku”, SHKA “Bilbilat e Pashtrikut” Nashec, Ansambli “Zëri i Kosovës” Fushë-Kosovë, AKV “Deçani”, Ansambli “Librazhdi” Librazhd, si dhe performanca e veçantë e ansamblit të Podujevës, përkatësisht shtëpisë kulturore që realizon organizimin, “Zahir Pajaziti”.
Kjo festë, ky homazh, bart në vete jo vetëm rikujtimin për dëshmorët e rënë, por edhe vlerat kulturore që mbijetuan falë sakrificës së tyre. Është një përkujtim që shkon përtej dhimbjes, duke shndërruar kujtimin në frymëzim.
Nëpërmjet këngës, valleve dhe artit, festivali shpërfaq jo vetëm nderimin e atyre që dhanë jetën për liri, por gjithashtu edhe afirmimin e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare
Promovimi i artit kombëtar, në këtë rast, synon jo vetëm të ruajë kujtesën historike, por edhe tv frymëzoj brezat e rinj të lidhen me rrënjët e tyre, të krijojnë mbi ato rrënjë dhe të jenë pjesë aktive e një kulture që jeton, zhvillohet dhe ndriçon përmes brezave./ KultPlus.com