Qeveria mbulohet me fjongo rozë, Kurti zotohet në ngritjen e kapaciteteve për luftimin e kancerit të gjiri

30 Tetor, 2021 - 2:15 pm

Objekti i Qeverisë së Kosovës është mbuluar me një fjongo rozë, si shenjë për përmbylljen e aktiviteteve për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

Kryeministri Albin Kurti tha se do të angazhohen edhe më tutje në ndërgjegjësimin për parandalimin e kësaj sëmundje, si dhe në ngritjen e kapaciteteve mjekësore.

“Sot në ndërtesën e Qeverisë kemi vendosur një fjongo shumë të gjatë rozë, meqenëse është bërë simbol i luftës kundër kancerit të gjirit. Muaji tetor u shpall kundër luftës së kanceri të gjirit për parandalimin e saj. Shumë gra e vajza janë goditur nga kjo sëmundje e cila shumë lehtë bëhet fatale, andaj ne kemi punuar në ndërgjegjësimin. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time për të gjitha ato gra e vajza që u përballen me këtë sëmundje dhe arritën të mbijetojnë. Me reformat që do t’i ndërmarrim në shëndetësi do të angazhohemi që të ketë parandalim të kësaj sëmundje, dhe t’i ngritëm kapacitetet mjekësor. Ne krerët institucional nuk do të mund t’ia dilnim pa këto iniciativat nga shoqëria civile, nuk do të kishim as përafërti këto rezultate. Beteja jonë do të vazhdojë”.

Duke u bërë thirrje për të bërë kontrolle mamografike, ish-presidentja, Atifete Jahjaga, tha se në Kosovë nuk ka mungesë të pajisjeve, e gjithashtu edhe stafi mjekësor është profesionist.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne shpresojmë përkrahjen ndaj të gjithëve që përballen me këtë sëmundje, u bëjmë thirrje të bëjnë kontrolle të rregullta. Disa vite më herët ka qenë më e vështirë, por tani edhe në QKUK janë të gjitha pajisjet e teknologjisë së fundit, dhe po ashtu stafi është i profesionist. Një skanim nënkupton shpëtimin e jetës”.

Themeluesja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, Nafije Latifi, tha se edhe pas përmbylljes së aktiviteteve për shënimin e këtij muajit, iniciativat për vetdijësimin e qytetarëve për kancerin e gjirit do të vazhdojnë.

“Atëherë sot përfundon aktiviteti për shënimin e këtij muajit, mirëpo lufta vazhdon. Unë falënderoj institucionet dhe Fondacionin Jahjaga. Qendrës tonë na mbetët që t’i ndërgjegjësojmë gratë sa më shumë, ndërsa institucioneve ju mbetet realizimi i kushteve sa më të mira. Mund të ju them se një punë shumë të madhe e bëjnë mediet, të cilat e përcjellin mesazhin tonë. Kërkojë nga të gjitha gratë që të bëjnë kontrolle”.

Pas kësaj të tre pjesëmarrësit, kanë vazhduar diskutimin e tyre në një kafene afër objektit të Qeverisë. /EO / KultPlus.com

Të ngjajshme