Qindra gazetarë iranianë bëjnë thirrje për lirimin e dy kolegeve të burgosura

1 Nëntor, 2022 - 11:50 pm

Qindra gazetarë iranianë po bëjnë thirrje për lirimin e kolegeve Niloofar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi, të cilat u arrestuan dhe u dërguan në burgun “Evin”, në Teheran për shkak të mbulimit të vdekjes së Mahsa Amini, sipas gazetës së pavarur iraniane “Etemad”, citon CNN.

“Liria e medias nuk është vetëm e drejtë e gazetarëve, por edhe e shoqërisë”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga mbi 300 gazetarë, fotografë dhe aktivistë të medias iranianë.

Arrestimet janë përpjekja më e fundit e qeverisë iraniane për t’u mbyllur gojën çdokujt që ngrihet kundër regjimit, ndërsa protestat në vazhdim kanë tronditur vendin, javët e fundit.

“Shoqëria jonë ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh në kohën e duhur, pa censurë apo filtër, si dhe ka të drejtë të marrë në pyetje çdo person apo institucion që shkakton mungesë të efikasitet, korrupsion apo shkel ligjin”, thuhet në deklaratën e publikuar të dielën.

“Shoqëria e madhe e Iranit nuk do të jetë në gjendje të përballet me kërcënimet komplekse në botën e sotme pa qytetarë të përgjegjshëm si, Niloofar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi dhe gazetarë të tjerë të burgosur”, sipas deklaratës.

Reagimi i tyre erdhi pasi shërbimet sekrete iraniane akuzuan të premten dy gazetaret se ishin trajnuar jashtë vendit dhe kishin dhënë informacione për median e huaj.

Shërbimet sekrete iraniane akuzuan Hamedi për përdorim të pozicionit të saj si gazetare për të nxitur mosmarrëveshje.

“Ajo ishte një nga personat e parë që mbërriti në spital, ku u dërgua Mahsa Amini, e cila nxiti të afërmit e të ndjerës, dhe publikoi lajme të qëllimshme kundër regjimit”, thuhet në deklaratën e shërbimeve sekrete.

“Fotografia e parë e të ndjerës Mahsa Amini në shtratin e saj të spitalit, u publikua nga Niloofar Hamedi dhe ajo ishte trajnuar jashtë vendit”, vazhdon deklarata.

“Elaheh Mohammadi, ishte trajnuar gjithashtu në SHBA. Të dyja gazetaret kanë luajtur rolin e të qenit burimi kryesor i lajmeve për median e huaj”, sipas deklaratës së shërbimeve sekrete iraniane.

“Të paktën 46 gazetarë janë burgosur në Iran që nga fillimi i protestave për shkak të vdekjes së Mahsa Amini”, sipas organizatës joqeveritare, “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve”.

Niloofar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi janë në burgun “Evin” dhe nuk janë akuzuar ende publikisht. / KultPlus.com

Të ngjajshme