17 Korrik, 2025 - 11:57 am
Forumi Agora Pitching i Animasyrosdo të jetë përsëri pjesë e Kampusit Ndërkombëtar MIFA.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë publikoi thirrjen e hapur për Forumin Agora Pitching. Ky forum është një program ndërkombëtar që synon të mbështesë krijuesit dhe artistët e rinj nga vendet mesdhetare, përkatësisht Greqia, Shqipëria, Kroacia, Qiproja, Libani dhe Tunizia, duke u ofruar atyre aftësi dhe përvojë. Gjashtë profesionistë nga këta vende do të marrin pjesë në program, të cilët do të përzgjidhen në bazë të planeve e projekteve që ata paraqesin deri më 18 korrik.
“Pitch” është një prezantim konçiz dhe bindës i një ideje filmi, i krijuar për të bindur producentët, drejtuesit e studios ose palët e tjera të interesuara për të investuar ose zhvilluar projektin. Në thelb, “pitching” është tentativa për ta shitur një skenar apo ide filmike, që synon të gjenerojë emocione dhe të sigurojë fonde për fazën tjetër të krijimit të filmit.
Punëtoria 4-ditore e Trajnimit për Pitching do të mbahet si pjesë e Kampusit Ndërkombëtar MIFA në Syros nga 23 deri më 26 shtator. Isntruktoret do të jenë profesionistë të vlerësuar audiovizualë të përzgjedhur nga ekipi i Tregut Ndërkombëtar të Filmit të Animuar të Annecy-së (MIFA). Gjatë punëtorisë, gjashtë pjesëmarrësit do të zhvillojnë projektet e tyre për t’u përballur me sfidat e tregut ndërkombëtar dhe do të përgatiten në mënyrë efektive për të marrë pjesë në Pitch Partenaire që do të mbahet në qershor 2026 në Annecy./atsh/KultPlus.com