QKRMT për Vasfijen: Jehona e të vërtetës së saj dridhi opinionin në botë, dhe sot ajo triumfoi si deputete

4 Mars, 2021 - 3:36 pm

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka uruar Vasfije Krasniqi Goodman për suksesin e saj ku sot triumfoi si deputetet e Kuvendit të Kosovës, shkruan KultPlus.

QKRMT i uron Vasfijes sukses si deputete e Kuvendit të Kosovës në avansimin e statusit të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Fuqizimi i Vasfijes filloi nga një zë i padëgjuar në aktiviste të fuqishme për kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Jehona e të vërtetës së saj dridhi opinionin publik anë e mbanë botës dhe sot ajo triumfoi si deputete e Kuvendit të Kosovës. Me krenari përcjellim fuqizimin dhe sukseset e Vasfijes që vijnë si rezultat i punës së palodhshme dhe besimit që Vasfija ka në QKRMT. Vasfija është shembulli më i mirë i riintegrimit shoqëror, politik, ekonomik e kulturor”, shkruan nga QKRMT.

Tutje, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës  shprehet se rezultatet e vullnetit të qytetarëve me besimin që i dhanë Vasfijes dëshmuan për peshën e madhe dhe rëndësinë që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës kanë në shoqërinë kosovare.

“Jemi të bindur që zëri i deputetes Vasfije do të jetë i fuqishëm në mbështetje të kauzës së mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe arritjes së drejtësisë dhe me Vasfijen pjesë të proceseve vendim-marrëse në Kuvendin e Kosovës ndryshimet do të vazhdojnë të ndodhin.”

Vasfije Krasniqi ka siguruar plotë 60, 885 nga zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe rezulton si e pesta më e votuara nga Lëvizja Vetëvendosje. / KultPlus.com

Të ngjajshme