8 Shtator, 2025 - 1:45 pm
Një programacion radiofonik dhe televiziv në gjuhën arbëreshe do të transmetohet në valët e RAI 3, në rajonin e Kalabrisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së fundit midis Presidencës së Këshillit të Ministrave dhe RAI-t, ka nisur prodhimi i programeve televizive dhe radiofonike që synojnë promovimin e kulturës arbëreshe. Këto programe janë të lidhura drejtpërdrejt si me ligjin 482 të vitit 1999 ashtu edhe me Kontratën e Shërbimit Kombëtar, e cila siguron mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore të pranishme në rajonet e ndryshme të Italisë.
Transmetimet në gjuhën shqipe do të nisin në 15 shtator dhe do të zgjasin për 13 muaj. Detajet mbi programacionin Radio dhe TV do të jepen gjatë një konference të posaçme për mediet, në selinë e RAI-t në Kozenca.
Siç është thënë edhe më herët nga mediet kalabreze, një nga programet që do të transmetohet nga RAI 3 për rajonin e Kalabrisë, do të jetë mësimi i gjuhës arbëreshe./atsh/KultPlus.com