RAI së shpejti do të flasë edhe në gjuhën arbëreshe

2 Tetor, 2023 - 1:58 pm

“Në Radio Televizionin publik italian Rai, së shpejti do të flitet arbërisht”, shkruan Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, në faqen e saj online.

Ky vendim vjen në kuadër të takimit të 3 korrikut 2023 në Senatin e Republikës italiane, në Romë, në Pallatin “Giustiniani“, ku u mbajt veprimtaria studimore mbi Arsimin dhe Komunikimin për mbrojtjen kushtetuese të pakicave gjuhësore historike arbëreshe në Itali. Në këtë takim ishte e pranishme edhe prof. Diana Kastrati nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

Kjo veprimtari e promovuar nga Fondacioni “Crucitti“, me president Demetrio Crucitti, ish-drejtor i selisë së Rai në Kalabri, ishte e një rëndësie të veçantë, pasi solli në vëmendje në nivel kushtetues të pakicës gjuhësore arbëreshe me iniciativën dhe pjesëmarrjen e zv.presidentit të këtij Senati, Maurizio Gasparri.

Komisioni parlamentar për drejtimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të shërbimeve televizive ka paraqitur ndryshimin e Skemës së Kontratës së Shërbimit ndërmjet Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Radio Televizionit publik italian Rai në vitet 2023-2028.

Amendamenti i paragrafit 4, i paraqitur nga nënkryetari Maurizio Gasparri shprehimisht thotë: “Komisioni përcakton zgjedhjen e një selie rajonale të statutit të zakonshëm të Rajoneve, të cilave do t’iu besohen nivelet minimale të mbrojtjes për gjuhën arbëreshe“./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme