Rama: Agroturizmi do vijojë të rritet, po shtrihet deri në zona të thella

13 Nëntor, 2023 - 10:16 pm

Kryeministri Edi Rama theksoi se investimi në agroturizëm është sukses i sigurtë.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Pogradec, Rama tha se “ne sot pamë zhvillimin e punimeve në një kantier të rëndësishëm për Pogradecin, në zonën e Tushemishtit ndërkohë që kemi të tjera projekte që do të vazhdojnë të realizohen hap pas hapi, por të gjitha këto janë një zinxhir i mirëplanifikuar punësh që bashkohen me përpjekjen e individëve të sipërmarrjeve për të marrë pjesë në këtë zhvillim dhe për të përfituar nga ky zhvillimi”.

“Nëse këtë vit, Pogradeci, Korça, Devolli, Maliqi, Erseka kanë njohur një hov të ri të turizmit, duhet të jemi të përgatitur që vitin e ardhshëm do të jenë më shumë dhe duhen edhe më shumë dyer të hapura për t’i mikpritur dhe më shumë prodhim dhe shërbime për t’ju siguruar atyre dhe për të marrë mbrapsht fitimin e merituar. Është një mundësi, e cila sot fatmirësisht po shohim se po shtrihet shumë përtej zonave tradicionale dhe po shkon nëpër fshatra, në zona të thella dhe do vazhdojë duke u rritur gjithmonë e më shumë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot të investosh në një agroturizëm në Ersekë, Devoll apo Pustec është sukses i sigurt në vend se të mbash kazmën apo mistrinë apo barrën e të punuarit për dikë tjetër në Greqi, Itali, Angli. Flas për të gjithë ata që bëjnë punë të zakonshme dhe pastaj në fund të muajit mos ngelet më asgjë. Të investosh kursimet kur ke mundësinë ta bësh këtë në fshat, në cilindo fshat, është e sigurt që në fund të muajit të lë diçka dhe këtë sot nuk e them unë, e thonë faktet e të gjithë atyre që e kanë bërë këtë”.

“Është një kullë në fund të botës, në zonën e Bulqizës. Nëse do shikoni historinë e asaj kulle se  si ajo familje e ka transformuar në një destinacion turistik ku nuk keni idenë sesa më e vështirë është të shkosh, sesa të shkosh në cilëndo pikë këtu rreth e rrotull dhe të shikoni se si ata jetojnë me atë punë dhe nxjerrin fitim nga ajo punë dhe kanë gjithmonë e më shumë njerëz që kërkojnë të shkojnë tek ata dhe ka edhe më pak vende të lira sepse duhet të rezervosh”, tha Rama.

Prandaj, vijoi Rama, dua ta përsëris sa herë të mundem që koha kur shkoje në Evropë dhe mund të kurseje mjaftueshëm për të imagjinuar të bëje gjëra të tjera ka mbaruar, nuk është më.

“Jemi në një moment ku i kemi të gjitha faktet se synimin për të arritur në një majë të re në 2030 e kemi të mbështetur, jo më një dëshirë, por një synim të mbështetur”, tha Rama./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme