17 Qershor, 2025 - 10:42 am
Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Lumi i Shalës në Shkodër, ku siç u shpreh ai, turistët shijojnë një nga eksperiencat më magjike të pushimeve në Shqipëri.
Në këtë atraksion të jashtëzakonshëm të turizmit, në veri të Shqipërisë, turistët zgjedhin të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.
Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.
Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./atsh/KultPlus.com