2 Qershor, 2025 - 1:16 pm
Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin edhe gjatë këtij viti vijojnë të tërheqin vizitorë të shumtë me bukurinë e tyre natyrore dhe peizazhet mahnitëse.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur sot se “vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, 867 mijë vizitorë kanë eksploruar bukuritë e zonave tona të mbrojtura, 60 mijë vizitorë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
“Nga liqenet alpine te lagunat, nga pyjet shekullorë te Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë destinacioni i preferuar për dashamirësit e natyrës dhe aventurës”, tha Rama.
Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura janë në fokus të buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore siç është ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Zonat e mbrojtura në vendin tonë datojnë në vitin 1940 me shpalljen dhe krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë (Kune-Vain-Tale) në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit në Berat.
Krijimi i një parku kombëtar është një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë tonë të përbashkët natyrore dhe kulturore.
Disa nga parqet kombëtare të Shqipërisë janë: Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”./atsh/KultPlus.com