Rama përkujton Papa Clementi XI: Bibliofil dhe estet i rrallë, i lidhur me traditat italo-arbëreshe

23 Korrik, 2020 - 6:30 pm

Kryeminsitri Edi Rama ka përkujtuar sot Papa Clementi XI.

Në rubrikën e tij në Facebook, “Homazh”, kryeministri Rama shprehet se, “Papa Clementi XI, ka qenë i pranishëm në pritjet e përcjelljet në Sallën e Hartave në Kryeministri, kur krerë shtetesh e qeverish, vizitorë të lartë apo edhe ndonjë qytetar ndër të pranishmit, më ka pyetur për hartën e madhe të trojeve të vjetra shqiptare « Albania Propria ouero Superiore detta anche Macedonia Occidentale », vepër e hartografit të dukës së Modenës Giacomo Cantelli da Vignola më 1689, që u porosit nga shqiptari më parë se të ulej në fronin e të dërguarit të Zotit mbi tokë”.

“Stema në hartë shoqërohet nga një tekst i ndjerë që lëvdon prejardhjen shqiptare të Eminencës së Tij, Giovanni-Francesco Albanit, kardinali i famshëm dhe Papa i ardhshëm që në shqytin e tij të kaltër mbante tre male të artë dhe një yll orientues, prerë në mes nga një brez i artë; përvijëzim i një rrugëtimi të suksesshëm nga malet e Shqipërisë drejt Romës, « Caput Mundi » dhe « Mater et Magistra »”, thekson Rama.

“Albani – Klementi XI, ishte edhe prior i Urdhrit kalorsiak konstandinian të Shën Gjergjit, themeluar rreth 1520 nga bashkatdhetarë të tij nga Shqipëria, të ashtuquajturit Engjëllorët e Drishtit. Ky urdhër nisi si një aventurë tipike shqiptare, për t’u kthyer në një nga lavditë e krishtërimit roman deri sot e kësaj dite”, shton Rama.

“Papë nga më të kultivuarit, bibliofil dhe estet i rrallë, po aq sa i lidhur me traditat italo-arbëreshe dhe naltësimin e Kishës në Shqipëri, Klementi XI, gjeti kohë, dashuri dhe kujdes si për të zbukuruar çdo skaj të Romës me stemën e tij, po aq sa edhe për të mbajtur gjallë frymën e brendshme të maleve shqiptare”, thekson Rama.

Rama nënvizon se, “dëshmia më mbresëlënëse në këtë aspekt, mbetet Koncili i Arbrit, mbajtur më 1703 nën udhëheqjen e shpirtërore të Klementit XI në Lezhë”.

“Mirënjohje e respekt për dëshmorët e dëshmitarët e yllit të besimit katolik përgjatë historisë së dhimbshme të fesë në Shqipëri, në këtë përvjetor të lindjes së papës shqiptar. Të paharrueshëm”, përfundon Kryeministri Rama. atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme