Rama publikon pamje nga Bjeshkët e Dobërdolit, destinacion i veçantë në Tropojë

15 Gusht, 2025 - 1:00 pm

Tropoja dhe Alpet e saj kanë njohur rritje të vazhdueshme të vizitorëve dhe turistëve duke e zgjedhur si një destinacion të veçantë të turizmit malor.

Një prej destinacioneve është edhe Bjeshka e Dobërdolit e vendosur në lartësitë e maleve të Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit, në pjesën e sipërme të luginës se Gashit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga lugina e bjeshkëve të Dobërdolit, e rrethuar nga gjelbërimi dhe me kuajt që enden të lirë mes kësaj bukurie natyrore alpine.

Në pjesën e sipërme të luginës gjenden disa liqene akullnajore, më i madhi prej të cilëve është liqeni i Dashit në një lartësi prej 2175 m. Ky është edhe një ndër liqenet akullnajore më të mëdhenj të Alpeve tona.

Këto bjeshkë janë të rrethuara me shumë male me mbi 2000 m lartësi me shkëmbinj me moshë gjeologjike nga më të vjetrit në Shqipëri.

Prej muajsh ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës nga Tropoja e Vjetër deri në Bjeshkën e Dobërdolit.

Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që eksplorojnë bjeshkët madhështore dhe natyrën e paprekur të kësaj treve./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme