Kryeministri Rama: Rilind Xhamia e Et’hem Beut, xhevahir i trashëgimisë sonë kulturore

17 Janar, 2022 - 9:02 pm

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në përurimin e restaurimit të Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, së bashku me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Ju e dini historinë e dhimbshme tragjike, të fesë në Shqipëri dhe njëkohësisht e dini dhe historinë e rëndë përmes së cilës kaluan objektet e kultit pavarësisht se cilës feje i përkisnin, përgjatë gjithë periudhës së barbarisë komuniste”, tha Rama.

“Dhe sigurisht që në Shqipërinë e pas rrëzimit të diktaturës plagët ishin të panumërta, nevojat ishin të panumërta, hallet ishin të panumërta dhe adresimi i kësaj plage i shërimit të objekteve të kultit, mbeti për një kohë të gjatë pas dore”, u shpreh Rama.

“Mirëpo nga ana tjetër unë besoj se këto objekte, xhamitë, kishat, teqetë dhe të gjitha objektet, të cilat në shekuj u ngritën brez pas brezi në emër të Zotit, nuk u përkasin vetëm atyre që i vizitojnë ato për të kryer ritet e tyre, por i përkasin thesarit të kulturës sonë, i përkasin kujtesës sonë historike, i përkasin shpirtit tonë dhe si të tilla ato duhen me patjetër pasur kujdes, duhen patjetër rilindur, duhen me patjetër t’i vihen në dispozicion brezave që vijnë”, tha Rama.

“Për Shqipërinë ato janë po ashtu dëshmia e jashtëzakonshme dhe e prekshme e një bashkëjetese fetare që na ka karakterizuar vijimësisht si një shembull i mrekullueshëm që e kemi trashëguar nga të parët tanë dhe e kemi detyrë t’ua trashëgojmë fëmijëve tanë. Dhe në përpjekjen tonë për ta rilindur këtë aspekt të trashëgimisë tonë kulture, ne kemi gjetur tek presidenti Erdogan një partner të pazëvendësueshëm”, theksoi Rama.

“Falë kujdesit të tij të posaçëm dhe të drejtpërdrejtë, falë angazhimit të agjencisë turke të bashkëpunimit, TIKA, falë bashkëpunimit me historianët, me inxhinierët, me restauratorët turq dhe atyre shqiptarë, ne sot kemi disa nga xhevahiret më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore që i përkasin fesë islame, të cilat janë rilindur plot shkëlqim, siç ka rilindur plot shkëlqim dhe kjo xhami e Ethem Beut që është një nga simbolet më domethënëse të historisë sonë, por edhe një nga pasqyrat ku mund të shihet lidhja jonë e vjetër tradicionale me popullin vëlla turk”, u shpreh Rama.

“Xhamitë e qendrës mesjetare të Beratit, xhamia e mrekullueshme e Gjirokastrës, të cilat janë po ashtu restauruar dhe kanë rilindur falë kësaj përkujdesjeje nuk janë sot vetëm objekte kulti, të cilat u shërbejnë më së miri besimtarëve myslimanë, por janë edhe pika referimi për të gjithë ne, për të gjithë komunitetet dhe për të gjithë ata që e vizitojnë Shqipërinë në të gjithë diversitetin e saj. Kjo është një përpjekje që vazhdon”, theksoi Rama.

Rama shprehu kënaqësinë, “që së shpejti falë marrëveshjes të nënshkruar dhe punës që po bëhet aktualisht për projektin do të fillojë edhe puna për rilindjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një nga perlat e trashëgimisë tonë kulturore”.

Ndërkohë, shtoi kryeministri Rama, “me mbështetjen e Presidentit dhe në bashkëpunim me agjencinë TIKA, do të vijojmë punën edhe me ndihmën e vyer të ministrit të Turizmit dhe të Kulturës së Turqisë dhe të gjithë strukturës së asaj ministrie për të vazhduar përpjekjen e bukur për rilindjen e Beratit, të Gjirokastrës dhe vetë Shkodrës”.

Xhamia e Et’hem Beut, një xhevahir i trashëgimisë sonë kulturore, në zemër të Tiranës rikthehet plotësisht e restauruar, falë kontributit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Erdogan ishin të pranishëm sot në inaugurimin e Xhamisë së Et’hem Beut, e cila shërben jo vetëm për besimtarët myslimanë, por edhe si një atraksion turistik për kryeqytetin.

Kjo xhami, e cila është monument kulture i kategorisë së parë, është pjesë e ndërtesave që përbëjnë qendrën historike të Tiranës dhe së bashku me Kullën e Sahatit përbën një kompleks arkitektonik. Është një nga xhamitë e vetme në vend që i  ka rezistuar periudhave të ndryshme, përfshirë atë të komunizmit.

Xhamia e Et’hem Beut e restauruar tashmë në mënyrë spektakolare, përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja.

Nga ky restaurim dolën në pah elementë që me kohën ishin dëmtuar dhe mbuluar. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme