Rama: “Turi i Kullave”, shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri

4 Qershor, 2025 - 9:09 pm

“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë vijon të zgjerohet si pjesë e ofertës turistike që ofron Shqipëria.

Këtë herë “Turi i Kullave” zgjerohet në Kukës, Has dhe  Tropojë, me nëntë kulla karakteristike që i shtohen kësaj eksperience autentike në zemër të veriut shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga këto kulla, që sipas tij i japin “një shtysë të re zhvillimit të turizmit të traditës në Shqipëri”.

Rama nënvizoi rëndësinë e këtij turi “me kullat tipike, bujtinat e kuzhinën tradicionale që promovojnë prodhimet cilësore ‘Made in Albania’”.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë.

Ky tur është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Ky itinerar përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë.

“Turi i Kullave” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme