Rama: Zbulohet tuma e tretë në Himarë, paraqet elemente unikale arkitekturore

8 Nëntor, 2023 - 9:42 pm

Pranë varrezës tumulare në Himarë përgjatë gërmimeve të muajit tetor u zbulua tuma e tretë, e cila paraqet elemente unikale të arkitekturës së ndërtimit të kodërvarreve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna e arkeologëve për zbulimin e kësaj tume.

Duke i konsideruar zbulime mbresëlënëse Rama tha se “objektet e zbuluara në to i përkasin periudhës së Hekurit të Hershëm (shek. XI-X p.Kr). Tumat prehistorike të Himarës konsiderohen si monumentet më befasuese të periudhës së Bronzit dhe Hekurit në bregdetin jonian”.

“Kultura e dokumentuar në to është e njëjtë me atë të pjesës tjetër të Ilirisë”, theksoi Rama.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “gjatë gërmimeve u zbuluan edhe disa objekte arkeologjike, mes të cilave një enë balte dhe një majë heshte e periudhës së hekurit të hershëm (shek. XI-X p.Kr)”.

“Tuma ndodhet në shtratin e përroit të Korramit, për këtë arsye specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tashmë po punojnë për konservimin dhe rimbulimin e strukturave dhe varreve të tumës, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mundshme nga prurjet e përroit përgjatë muajve të dimrit”, theksoi Margariti.

Varreza u zbulua fillimisht në vitin 2018, në shtratin e përroit të Korramit, në verilindje të qytetit jonian.

Në pranverën e vitit 2018, me qëllim dokumentimin e varrezës dhe shpëtimin e materialit arkeologjik nga gërryerja e përroit, u krye faza e parë e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, gjatë së cilës u zbulua një tumë e periudhës së Bronzit të Vonë dhe disa varre ciste. Në 2020 u zbulua një tumë e dytë, e cila konfirmoi ekzistencën e një varreze tumulare me vlera të jashtëzakonshme historike./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme