Rama: Zemrat kuqezi të diasporës rimblidhen këtë herë me arbëreshët në qendër

22 Nëntor, 2023 - 2:07 pm

Sot dhe nesër organizohen në Tiranë Dita Arbëreshe dhe Samiti III i Diasporës.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, “zemrat kuqezi të diasporës rimblidhen këtë herë me arbëreshët në qendër, për t’u mikpritur nga yjet si, Ardit Gjebrea, Ndriçim Xhepa, Elsa Lila, Luiza Gega, Elhaida Dani bashkë me artistët e “Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor” në Pallatin e Kongreseve ora 15:30″.

Dita Arbëreshe do të mbledhë në Tiranë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historian për të diskutuar në panele, të cilat fillojnë mëngjesin e sotëm e për të vijuar me sesionin plenar që nis në orën 16:00 në Pallatin e Kongreseve.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të mbajë fjalën e hapjes për t’u pasuar me mesazhet e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe emra të njohur arbëresh.

Gjatë këtij takimi do të jepen edhe çmimet “Shqiponja e artë” për disa personalitete.

Arbëreshët jetojnë në Itali nga shekulli XV, në rajonet e Abrucos, Kampanjës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Sicili. Në të gjithë Italinë, sot njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe.

Ata nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, festat, traditat, ritet e besimet e paraardhësve të tyre. Arbëreshet vijojnë të kontribuojnë në zhvillimet e vendit tonë, me po të njëjtin përkushtim me të cilin kontribuojnë në zhvillimet e vendit ku jetojnë dhe punojnë, duke u shfaqur vazhdimisht si promovues dhe përforcues të marrëdhënieve mes dy popujve.

Ndërsa Samiti III i Diasporës do të zhvillohet më datë 23 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

Në Seancën Plenare të Samitit do të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët janë regjistruar prej muajsh për të marrë pjesë në samit.

Pas sesionit do të ketë 6 panele diskutimi të organizuara nga MEPJ, MIE, MAS etj.

Diaspora shqiptare është katalizator i ndryshimit dhe faktor në zhvillimin e shoqërisë në Shqipëri nëpërmjet ndërmjetësimit, ndarjes së ideve, praktikave, vlerave dhe qëndrimeve, normave të sjelljes dhe akumulimit të njohurive dhe përvojës në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve.

Gjithashtu Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në promovimin e produkteve shqiptare dhe mësimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Lidhja shpirtërore, dashuria për atdheun ka bërë që të ruajnë gjuhën, kulturën, zakonet dhe traditat e paraardhësve të tyre, duke krijuar kështu edhe shoqata shqiptare apo organizata, pavarësisht integrimit në shoqërinë e vendeve ku ata jetojnë prej vitesh. Figura të njohura, personalitete të shquara shqiptarë të Diasporës, me veprat dhe aktivitetet e tyre, kanë dhanë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të veçantë në promovimin e vendit tonë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme