Restaurohet ikona “Joan Pagëzori me skena”, pjesë e Muzeut Historik Kombëtar

30 Prill, 2022 - 2:04 pm

Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ka përfunduar restaurimi i ikonës “Joan Pagëzori me skena”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.

Vepra është një ikonë despotike (ikonat e mëdha që qëndrojnë sipër ketabeve të poshtme të ikonostasit) me përmasa 117 x 83cm, marrë prej Kishës së Manastirit Shën Pjetri dhe Pavli në Vithkuq të Korçës. Ikona daton vitin 1726 dhe është realizuar nga një autor anonim.

Gjatë muajve të fundit, vepra iu nënshtrua një ndërhyrjeje të plotë restauruese, të kryer nga specialistët e IKTK-së.

Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se “ndërhyrja konsistoi në dezinfektimin e suportit (drurit) dhe pastrimin e tij nga depozitimet e ndryshme, përforcimin me fletë druri në hapësirën e krijuar ku bashkohen dy pjesët e ikonës, konsolidimin e gruntit dhe pelikulit piktorik, pastrimin e vernikut të dekompozuar, stukimin dhe në fund integrimin piktorik”. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme