Restaurohet me teknologjinë më të fundit Muzeu Etnografik i Krujës

18 Maj, 2024 - 9:20 pm

Muzeu Etnografik i Krujës është restauruar dhe përmirësuar me teknologjinë më të fundit nga programi i Bashkimit Evropian “EU4Culture”, udhëhequr nga ekspertët e UNOPS.

Delegacioni i BE në Tiranë ndau sot pamje nga restaurimi i këtij muzeu me një trashëgimi të pasur kulturore.

Muzeu Etnografik të Krujës është një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Ky muze i është nënshtruar procesit të restaurimit përmes Programit të Bashkimit Evropian “EU4Culture”, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.

Ky muze është atraksion i rëndësishëm dhe ndër më të vizituarit nga turistët nga e gjithë bota, që dëshirojnë të njohin kulturën shqiptare.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani. Ajo është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I.

Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë./KultPlus.com

Të ngjajshme