Rifillojnë gërmimet në Finiq, projekt i përbashkët shqiptaro-italian

18 Shtator, 2023 - 5:31 pm

Në mesin e muajit shtator rifilluan sërisht gërmimet arkeologjike në parkun arkeologjik të Finiqit. Projekti i përbashkët arkeologjik shqiptaro-italian i ka përqendruar kërkimet e tij në zonën publike të qytetit antik, aty ku në periudhën Perandorake Romake mendohet të jetë zhvilluar Forumi.

Strukturat që po nxjerrin gërmimet arkeologjike dëshmojnë për godina monumentale, të cilat në zonën e pjerrët qëndronin mbi tarracime. Zona është e aksesueshme për vizitorët që zgjedhin të vizitojnë parkun arkeologjik të Finiqit. Në këtë park paralelisht me gërmimet arkeologjike, nga DRTK Vlorë janë kryer ndërhyrje restauruese, si dhe është rinovuar e gjithë infrastruktura e parkut me tabela shpjeguese e orjentuese.

DRTK Vlorë fton të apasionuarit ndaj arkeologjisë të përfitojnë nga prania e arkeologëve gjatë muajit shtator dhe të vizitojnë parkun arkeologjik të Finiqit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme