Rihapen muzetë dhe kalaja e Krujës për vizitorët, dëmtimet nuk rrezikojnë turistët

9 Dhjetor, 2019 - 6:20 pm

Kruja i hapi sot muzetë e saj dhe portat e Kalasë, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Drini Masha, përgjegjës i turizmit në bashkinë e Krujës, tha për ATSH-në se “Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë u vizituan nga profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokyo-s, Japoni, e cila tha se dëmtimet nuk e rrezikojnë vizitorin që do të shohë Krujën”.

Masha i fton të gjithë vizitorët vendas, por edhe të huaj të vizitojnë Krujën, të bëjnë shëtitije në Kala, të vizitojnë muzetë e këtij qyteti historik, si dhe Pazarin e vjetër.

Sipas tij, turizmi në Krujë, nuk njeh sezon turistik, pasi ka një turizëm gjithëvjetor dhe është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Mbi 100 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme