Meta i shqetësuar për Kalanë e Krujës

6 Dhjetor, 2019 - 4:00 pm

Rreziku që i kanoset fortesës së Skënderbeut nga tërmeti i 26 nëntorit ka shqetësuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Ai sot ka vizituar Kalanë e Krujës. Për të parë më nga afër pasojat e dëmeve në Kullën e Këmbanës dhe Teqenë e Dollmës, Meta është kujdesur që t’i shohë këto dy monumente më nga afër, duke kaluar edhe perimetrin e sigurisë.

Kreu i shtetit tha se “duhen marrë masa të menjëhershme për t’u riparuar dhe mbrojtur, për vetë simbolikën e fortë kulturore e kombëtare që përfaqësojnë. Puna e nisur duhet të ndiqet me përgjegjësi maksimale deri në fund”.

Meta i kërkon institucioneve më shumë bashkëpunim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë mbetur jashtë për shkak të shkatërrimit të banesave të tyre. Gjithashtu presidenti vizitoi edhe shtëpitë e disa familjeve në fshatin Hasanaj të Krujës , të dëmtuara rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. / KultPlus.com

Të ngjajshme