7 Korrik, 2025 - 11:14 pm
Në qytetin e Korçës do të rikthehet nga 10-13 korrik, edicioni i 8-të i MIK Festival, një festë e vërtetë për artin dhe qytetin juglindor.
I cilësuar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në rajon, ky festival u çel sot zyrtarisht përmes një konference për shtyp, e cila mblodhi vëmendjen e mediave nga e gjithë Shqipëria.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo tha se “nën drejtimin e sopranos me famë ndërkombëtare Inva Mula, MIK Festival sjell këtë vit një program të pasur, me artistë të njohur nga Shqipëria dhe bota dhe një sërë koncertesh, që do të zhvillohen në vende të veçanta në Korçë dhe rrethinat e saj”.
“Ky festival nuk është vetëm një festë e muzikës, por edhe një urë ndërkulturore që forcon identitetin tonë dhe e promovon Korçën si kryeqytet të kulturës dhe artit”, tha Filo.
MIK Festival do të zhvillohet në vendndodhje të ndryshme: ai do të zhvendoset nga Hani i Pazarit, në Teatrin “Çajupi”, nga Drenova në Vithkuq etj. Me rëndësi do të jetë koncerti kushtuar lirikut më të madh të vokalit shqiptar Gaqo Çako, në 90-vjetorin e lindjen. Ndërkohë mes të ftuarve të shumtë festivalit spikat emri i balerinit shqiptar Eno Peçi, koreograf dhe primobalerin i Teatrit të Vjenës./atsh/KultPlus.com