24 Korrik, 2025 - 10:50 am
Një nga objektet më të vjetra dhe më të bukura të arkitekturës tradicionale në kryeqytet, shtëpia e Hyjnilerëve, i është rikthyer shkëlqimit të dikurshëm falë një restaurimi të kujdesshëm nga shteti.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi rëndësinë historike dhe simbolike që kjo shtëpi ka për qytetin e Prishtinës. “E ruajtur me fanatizëm ndër shekuj nga familja, kjo perlë e arkitekturës tradicionale do të ruhet dhe do të bartet tek brezat e ardhshëm,” u shpreh Çeku, shkruan KultPlus.
Sipas ministrit, për dy dekada trashëgimia kulturore e Prishtinës ishte lënë në harresë dhe rrezikonte shkatërrimin. “Tani, me përkushtim dhe vëmendje të duhur, po i kthejmë kujdesin që e meriton,” shtoi ai.
Pamjet e publikuara tregojnë ndërhyrjen restauruese të bërë me ndjeshmëri dhe respekt ndaj origjinalitetit të objektit, një ndërtesë karakteristike me elementë druri dhe arkitekturë të pasur ballkanike.
Kjo ndërhyrje vjen si pjesë e një procesi më të gjerë të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë, që përfshin rikonstruksione, restaurime dhe digjitalizime të monumenteve historike në mbarë vendin./KultPlus.Com