Rregullorja që ia heq vizat Kosovës publikohet në gazetën zyrtare të BE’së

25 Prill, 2023 - 12:12 pm

Sot është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë rregullore theksohet se të përjashtuar nga kërkesa për vizë janë vetëm mbajtësit e pasaportave biometrike që janë të lëshuara nga Kosova dhe në përputhje me standardet Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

“Ky përjashtim nuk duhet të zbatohet deri në datën nga e cila fillon të funksionojë Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i krijuar nga Rregullorja (BE) 2018/1240 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit ose deri më 1 janar 2024, cilado datë që vjen e para”, thuhet në këtë rregullore.

Data e hyrjes në fuqi e kësaj rregullore zakonisht njihet si dita e 20-të pas publikimit të Rregullores në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Siç thuhet në procedurat e publikuara nga BE për këtë çështje, kjo do të thotë se rregullat e BE-së janë miratuar dhe publikuar – duke prodhuar kështu efekte juridike – por nuk janë domosdoshmërisht të detyrueshme në datën e hyrjes në fuqi.

Njohësi i integrimeve europiane, Demush Shasha, tha se kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 15 maj dhe se kjo kohë do t’iu mjaftojë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Schengen.

“Por edhe do jap mjaftueshëm kohë autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024”.

Rregulloren e publikuar mund ta gjeni KËTU / Express / KultPlus.com

Të ngjajshme