Rrjeti i Grave dënon sjelljet ndaj Osmanit

11 Korrik, 2020 - 4:43 pm

Rrjeti i Grave të Kosovës ka dënuar sjelljet ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani në seancën e së premtes. Osmanit në fund të seancës i ishte vërsulur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pas një debati mes deputetëve. Me t’iu vërsulur Ukaj, Osmani ndërpreu seancën.

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një reagimi për media ka thënë se ai veprim bie ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon gjuhën fyese dhe sjelljet denigruese të përdorura gjatë seancës së mbrëmshme të Kuvendit ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani. Kuvendi i Kosovës është institucion publik ku duhet respektuar rregullat dhe funksionet e secilit anëtar të tij. Në këtë institucion të gjithë qytetarët presin të përfaqësohet vullneti i tyre politik në mënyrë sa më dinjitoze. Veprime si ky i mbrëmshmi bien ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë. RrGK vlerëson se kryeparlamentarja Osmani është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ajo bart përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave parlamentare, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e vërejtjes ndaj deputetëve të cilët nuk i respektojnë rregullat”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Ky rrjet ka kërkuar nga politikanët të shmangin gjuhën kërcënuese dhe ka kërkuar ndëshkimin e tyre në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.

“Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat. Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim”, përfundon reagimi. /Koha.net /KultPlus.com

Të ngjajshme