Rrugët dhe pikat turistike të Italisë mbushen përsëri pas 9 javësh

5 Maj, 2020 - 11:00 am

Italianët u rikthyen nëpër rrugë teksa vendi hoqi një nga bllokadat më të ashpra në Evropë duke kaluar në “fazën 2” të krizës së koronavirusit.

Në Venecia rrugët e zbrazura ishin më parë simboli i krizës në Evropë, ndërsa tani sheshi Shën Mark ishte përsëri plot me njerëz dhe tregtarë.

Trenat dhe stacionet ishin mbushur përsëri në metronë e Milanos ndërsa më shumë se 4 milionë punëtorë italianë ishin kthyer në fabrika e kantire ndërtimi. Të tjerë stërviteshin në park dhe vizitonin të afërmit për herë të parë prej javësh.

Qeveria italiane tha se qeveritë vendore janë përgjegjëse për zbatimin e distancimit social në transportin publik, por në disa pamje dukej qartë se kjo ishte më e thjeshtë të thuhej sesa të bëhej.

Në disa rajone të Gjermanisë fëmijët u rikthyen sot në shkolla, duke iu dhënë prioritet më të rritur në përgatitje të provimeve.

Edhe në Portugali u ngrit gjendja e emergjencës duke lejuar hapjen e dyqaneve të vogla, e shoqërur kjo me gjobë €350 kush nuk mban maskë.
Spanja lejoi kthimin e klientëve në disa dyqane specifike si floktoret, vetëm me takime në orar.

Ministri italian i shëndetësisë Roberto Speranza nxiti banorët të jenë të kujdesshëm në këtë fazë.
“Loja ende nuk është fituar dhe përgjegjësia individuale është thlebësore në fazën e dytë”, tha ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme