7 Gusht, 2025 - 10:30 am
Radiotelevizioni i Kosovës është përzgjedhur në finalen e madhe të njërës prej garave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e prodhimeve audiovizuale edukative “Japan Prize 2025”.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Jam i lumtur t’ua kumtoj lajmin se RTK është përzgjedhur në finalen e madhe të Çmimit Japonez ‘Japan Prize 2025’. Projekt-propozimi i përzgjedhur ka të bëjë me futbollin e vajzave dhe rrëfimet e futbollisteve vendore, ëndrrat dhe synimet e tyre drejt kampionateve”, ka shkruar Gërvalla, teksa ka falënderuar ekipin realizues Aleksandra T. Jovanovic, Gjergj Anton Filipaj, Dardan A. Berisha, Ersin Samli dhe Asako Matsushima Kubota për punën e palodhshme.
Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar në faqen e “Japan Prize”, edicioni i këtij viti ka pranuar 373 aplikime për vepra audiovizuale dhe projekt-propozime nga 58 shtete dhe rajone të botës. Fituesit e çmimeve do të shpallen më 25 shtator, ndërsa ceremonia përmbyllëse e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 20 nëntor në Tokio, gjatë “Japan Prize Festival Week”./rtk/KultPlus.com