S’dihet nëse Kosova do të jetë pjesë e testit “PISA 2021”, rekomandohet pauzë

19 Prill, 2020 - 10:00 pm

Nxënësit e Kosovës vitin e ardhshëm ka gjasa të mos i nënshtrohen testit “PISA 2021”. Një gjë të tillë është duke e shqyrtuar Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit. Ministria përmes një përgjigje me shkrim për KOHËN ka theksuar se pas shqyrtimit të kësaj mundësie do ta bëjnë të ditur qëndrimin e tyre.

“Duke marrë për bazë rezultatet jo të mira gjatë viteve të fundit në testin PISA, MASHTI është duke e shqyrtuar këtë çështje dhe pa vonuar do të dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj tematike”, është thënë nga Zyra për media e Ministrisë së Arsimit, raporton KOHA.

E pyetur nëse mësimi online është duke ndikuar në rënien e cilësisë në arsim, MASHTI është përgjigjur se në këtë fazë nuk mund të japin konstatime të tilla. Sipas Ministrisë, në bazë të informacioneve që i kanë nga drejtoritë komunale, mësimi virtual po realizohet në mënyrë të kënaqshme.

Ekspertë të arsimit vlerësojnë se vitin e ardhshëm Kosova nuk do të duhej të merrte pjesë në testin PISA. Halim Hyseni nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit, thotë se për shkak se mësimi tashmë po mbahet në kushte jo të zakonshme, nuk mund të pritet cilësi derisa zgjidhja më e mirë, sipas tij, është që të pauzohet në PISA deri në vitin 2024.

Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard”, thotë se për organizimin e testit PISA në nivel botëror do të vendoset nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik e

Zhvillim, derisa për pjesëmarrjen e Kosovës shton se është në dorë të MASHTI-t.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve (PISA) është një studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson aftësitë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë, dhe mbahet çdo 3 vjet. Për herë të parë Kosova mori pjesë në “PISA 2015” ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse. Renditje pothuajse të njëjtë pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77 derisa në matematikë dhe shkencë të 76-tin duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane dhe Filipinet. Koha. net / KultPlus.com

Të ngjajshme