Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare: Edicioni i 43-të

5 Gusht, 2025 - 3:55 pm

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbajë edicionin e 43-të nga data 18 deri më 29 gusht 2025 në Prishtinë, nën organizimin e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Kjo ngjarje shkencore është një ndër ngjarjet më të rëndësishme akademike në fushën e albanologjisë, që nga themelimi e deri sot, duke bashkuar studiues, gjuhëtarë, letrarë, pedagogë dhe studentë nga mbarë bota, të cilët ndajnë interesin e përbashkët për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Seminaristët pritet të arrijnë më 17 gusht, ndërsa hapja solemne do të bëhet më 18 gusht 2025, në orën 11:00. Temat bosht të këtij edicioni përqendrohen në zhvillimet aktuale lidhur me leksikun e shqipes, shqipen në rrjetet sociale, si dhe postmodernizmin në letërsinë shqipe, transmeton KultPlus.

Programi bazë i Seminarit përfshin kurse intensive të mësimit të gjuhës shqipe në tri nivele (fillestar, i mesëm dhe i avancuar), ligjërata të veçanta të gjuhësisë, ligjërata për letërsinë shqiptare, referime shkencore dhe ligjërata të përgjithshme. Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e seminarit është edhe programi kulturor plotësues, i cili do t’i njohë pjesëmarrësit me bukuritë natyrore, veprimtaritë kulturore dhe trashëgiminë shqiptare.

Në ditët e fundit të seminarit do të mbahet sesioni shkencor përmbyllës, ku do të prezantohen punime dhe përfundime studimore. Seminari mbetet një platformë e fuqishme për përhapjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe për nxitjen e bashkëpunimeve akademike në nivel ndërkombëtar./KultPlus.com

Të ngjajshme